Çfarë është ADHD (dhe çfarë nuk është)

Është shumë më tepër sesa ç'keni parë në TikTok.
Nëse disa orë në TikTok (nuk po ju gjykojmë) ju kanë bërë të besoni se me siguri keni çrregullim të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), nuk jeni vetëm. Dhe nëse të gjitha ato video ju bëjnë të pyesni, çfarë është në të vërtetë ADHD? Atëherë jeni në vendin e duhur.
Pavarësisht nga breshëria e simptomave të përfolura dhe shenjave të ADHD-së të dokumentuara në mediat sociale, ka shumë më tepër në diagnozën e ADHD sesa shpërqëndrimi i lehtë dhe sjellje të tjera shumë të identifikueshme. ADHD është në fakt një gjendje shëndetësore mendore që mund të ndikojë në marrëdhëniet e njerëzve, mënyrën se si ata shohin veten, menaxhimin e parave, dhe, natyrisht, gjëra si puna dhe shkolla, thotë Michelle Frank, PsyD, psikologe klinike dhe autore e “A Radical Guide for Women with ADHD”.
Përveç këtyre miteve në mediat sociale, referenca e sjelljeve të shpërqëndruara ose impulsive si "shumë ADHD," mund t'i bëjë njerëzit me diagnozë të ndihen të pavlefshëm ose ata pa një të tillë shumë të turpëruar për të kërkuar ndihmë që në fillim. Për t’i vënë gjërat në vijë, kemi mbledhur informacion nga ekspertë për të shpjeguar se çfarë është ADHD, si të merrni një diagnozë të saktë, cilat janë format më të mira të trajtimit etj.
Një gjë e shpejtë përpara se të zhytemi në detaje: Shëndeti mendor është kompleks dhe secili ka një përvojë unike, kështu që mos bëni autodiagnozë vetëm sepse keni lexuar disa artikuj në internet (megjithatë, ne e vlerësojmë që keni ndaluar për të mësuar disa gjëra). Nëse kjo rezonon me ju, konsiderojeni si një pikë nisje në udhëtimin tuaj për t’u kujdesur për veten. OK, le të fillojmë…
Çfarë është ADHD?
ADHD është "një model persistent i mungesës së vëmendjes dhe/ose hiperaktivitetit-impulsivitetit që ndërhyn në funksionim ose zhvillim," sipas Manualit Diagnostikues dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-5-TR). Thënë thjesht, kjo do të thotë që njerëzit me ADHD kanë probleme me gjëra si të përqendruarit në një detyrë, ndjenjës së nervozitetit, ose të menduarit përpara se të veprojnë dhe mund të jetë aq e rëndë saqë ndërhyn në shkollë, punë, ose jetën sociale.
Brenda ADHD-së, ka në fakt tre nëntipe: prezantimi kryesisht me mungesë vëmendje, prezantimi kryesisht hiperaktiv-impulsiv dhe prezantimi i kombinuar. Njerëzit me prezantim kryesisht me mungesë vëmendje zakonisht kanë vështirësi me përqendrimin në gjëra si ligjëratat, bisedat ose leximin, të qenit të organizuar dhe ndjekjen e udhëzimeve. Nga ana tjetër, njerëzit me prezantim kryesisht hiperaktiv-impulsiv kanë tendencë të kenë probleme me ndjenjën e nervozitetit, ndërprerjen e të tjerëve dhe qëndrimin të qetë për periudha të gjata kohore. Prezantimi i kombinuar është saktësisht ashtu si tingëllon, do të thotë që keni një sasi të barabartë të simptomave me mungesë vëmendje dhe hiperaktive-impulsive, sipas DSM-5-TR.
Megjithëse varion shumë, nëse keni simptoma kryesisht pa vëmendje, mund të ndiheni sikur jeni vazhdimisht duke ëndërruar dhe u humbur në mendimet tuaja, kështu që është shumë e vështirë të përqendroheni. Ata me simptoma kryesisht hiperaktive-impulsive mund ta gjejnë shpesh veten duke marrë vendime të nxituara ose duke ndjerë nervozitet gjatë mbledhjeve të gjata pune. Dhe nëse keni prezantim të kombinuar, mund të përjetoni të gjitha simptomat e lartpërmendura.
Gjithashtu vlen të përmendet se ADHD mund të ndryshojë në gradë, nga e lehtë (dmth pak ose asnjë nga simptomat shkaktojnë pengesa të vogla në mjediset sociale ose të punës) deri te e rëndë (keni shumë nga simptomat ose ato vërtet ndërhyjnë në funksionimin normal në skenarët e përditshëm), sipas DSM-5-TR.
Ka gjithashtu disa përvoja emocionale të zakonshme që i përjetojnë njerëzit me ADHD, thotë Dr. Frank. Shpesh ajo dëgjon deklarata si "Ndihem si dështim" ose "Jam shumë, por nuk jam mjaftueshëm" nga klientët e saj. "Ka shumë turp që vjen me të jetuarin me ADHD sepse ndihesh sikur kurrë nuk je në gjendje të realizosh potencialin tënd dhe çfarë je në gjendje të bësh në botë. Dhe kjo është vërtet e dhimbshme për njerëzit - përveç gjykimit dhe stigmës," shpjegon Dr. Frank.
Si diagnostikohet ADHD?
Megjithëse ADHD është një nga çrregullimet neurozhvillimore më shpesh të diagnostikuara tek fëmijët, më shumë të rritur po diagnostikohen me këtë çrregullim sesa kurrë më parë. Një studim më i fundit identifikoi se prevalenca globale e ADHD-së tek të rriturit ishte 2.58%, kur shikojmë njerëzit që kishin simptoma që nga fëmija, dhe 6.76% kur shikojmë të rritur që nuk raportuan të kishin simptoma kur ishin fëmijë. (Megjithatë, për të marrë një diagnozë zyrtare si i rritur, do të duhet të keni përjetuar simptoma ADHD që para moshës 12 vjeç, sipas DSM-5-TR.)
Ka disa mënyra se si mund të procedoni për të marrë një diagnozë. Opsioni më i mirë është të kërkoni një terapist, psikolog ose psikiatër që është i specializuar në ADHD. Për të qenë të diagnostikuar me ADHD si të rritur, mjeku juaj do të duhet të përcaktojë nëse keni të paktën pesë simptoma që bien në një nga ato tre kategoritë e ADHD-së.
Sa për dijeni, nuk mjafton që ndonjëherë keni vështirësi të përqendroheni në punë ose që shpesh humbisni çelësat e shtëpisë. Për të përmbushur kriteret diagnostike, do të duhet të tregoni që këto simptoma po ndikojnë negativisht në jetën tuaj të përditshme në disa aspekte. Gjithashtu, siç përmendëm më lart, për të qenë të diagnostikuar me ADHD të rritur, duhet të keni përjetuar simptoma para moshës 12 vjeç, kështu që profesionistët e shëndetit mendor shpesh do të duhet të konsultohen me të afërmit tuaj për t’i pyetur nëse i keni përjetuar këto sfida që nga fëmijëria.
Mjekët mund t’ju pyesin gjithashtu për historinë tuaj familjare. Nëse njëri prej prindërve tuaj ka ADHD, keni një shans më të lartë të diagnostikoheni sesa dikush që nuk e ka, thotë Dr. Frank.
Si trajtohet ADHD?
Pasi të jeni diagnostikuar me ADHD, trajtimi zakonisht përfshin një kombinim të ritrajnimit të aftësive, terapisë, dhe ilaçeve. Qëllimi i trajnimit të aftësive është për të mësuar strategji që do t’ju ndihmojnë të punoni me çfarëdo sfide që kjo gjendje krijon për ju - si të menaxhoni shpërqëndrimet ose të ndiheni pak më shumë të organizuar.
Terapia kognitive sjellëse (CBT) mund të jetë shumë e dobishme për të rriturit me ADHD. Ky modalitet i përhapur i terapisë ka treguar se ndihmon me simptomat bazë të ADHD-së, rregullimin e emocioneve, vetëvlerësimin dhe strategjitë e menaxhimit të kohës, sipas studimeve të shumta. Përtej gjetjes së një terapisti/eje që ofron CBT, duhet gjithashtu të siguroheni që po zgjidhni dikë që ka punuar me klientë me ADHD në të kaluarën sepse vetëm ekspertiza CBT nuk mjafton gjithmonë, thotë Dr. Frank.
Njerëzit me ADHD mund të përfitojnë gjithashtu nga ilaçet, që është një pjesë tjetër e zakonshme e planit të trajtimit, shpjegon Dr. Frank. Stimulantët me recetë si Concerta ose Adderall mund të ndihmojnë duke rritur kimikatet e trurit që luajnë një rol të madh në të menduarit dhe përqendrimin. Opsioni tjetër i recetës janë ilaçet jo-stimuluese si Intuniv ose Clonidine. Ilacet jo-stimuluese gjithashtu mund të ndihmojnë për të lehtësuar simptomat, por ato marrin më shumë kohë për të nisur përmirësimin e fokusit dhe vëmendjes dhe uljen e impulsivitetit. Në Shqipëri momentalisht, ilaci i vetëm i disponueshëm në treg me recetë nga mjeku është Concerta.
Me kalimin e kohës, mund të vini re gjithashtu që sfidat si fillimi i një pune të vështirë ose përfundimi i detyrave bëhen më të lehta. Mund të navigoni gjithashtu më mirë problemet që krijon ADHD për ju, të përmirësoni rregullimin tuaj emocional dhe të mësoni si të kërkoni ndihmë kur ju nevojitet.
Si përfundim: Ka shumë më tepër rreth ADHD sesa çfarë keni parë në TikTok. Por nëse leximi i këtij artikulli ju bën të dyshoni se mund të keni vërtet ADHD, vlen të kontaktoni një profesionist të shëndetit mendor për të folur për simptomat tuaja që të merrni kujdesin që ju nevojitet.
💬 Hapi i parë drejt një shëndeti mendor më të mirë është shpesh më i vështiri, por Bliss është këtu për të të mbështetur gjatë gjithë rrugës. Konsultohu me një psikolog online të verifikuar në bliss.al. 💜