Çfarë është depresioni (dhe çfarë nuk është)

Spoiler: Është më i ndërlikuar se ç'mendoni.
Paralajmërim: Ky artikull përmban diskutime mbi depresionin dhe vetëvrasjen, të cilat mund të jenë shqetësuese për disa lexues. Nëse ju ose dikush që njihni po lufton me mendime për vetëvrasje ose po përballen me depresionin, ju lutem telefononi urgjencën ose kërkoni ndihmë menjëherë tek një profesionist i shëndetit mendor.
I keni parë reklamat e ilaçeve të kompanive farmaceutike, poashtu dhe videot në TikTok-et që e shpjegojnë depresionin në mënyrë të cekët, gjithashtu mund të keni edhe një mik që kurohet për të. Por çfarë është në të vërtetë depresioni?
Për të qenë të sinqertë, depresioni klinik, ndryshe i njohur si depresion madhor ose çrregullim i depresionit madhor, mund të përfshijë një sërë simptomash, por zakonisht njerëzit me depresion ndihen të trishtuar, fajtorë, pa vlerë, apatikë, të lodhur dhe mund të kenë probleme me gjumin, ushqyerjen, përqëndrimin, ose bërjen e gjërave që zakonisht u pëlqejnë. Ndonjëherë njerëzit me depresion mund të kenë edhe mendime për vetëvrasje.
Me këto në mendje, më poshtë kemi mbledhur informacion nga ekspertë për t’ju përgjigjur pyetjeve: Çfarë është depresioni? Si ta dini nëse po përballeni me të? Dhe si të merrni ndihmë?
Një gjë e shpejtë para se të zhytemi në detaje: Shëndeti mendor është kompleks dhe çdo person ka një përvojë unike, kështu që mos filloni të diagnostikoni veten vetëm sepse keni lexuar disa artikuj në internet (megjithëse, ne e vlerësojmë që keni ndalur për të mësuar disa gjëra). Nëse kjo ju rezonon, konsiderojeni si një pikënisje në udhëtimin tuaj për t’u kujdesur për veten. OK, tani le të fillojmë…
Çfarë është depresioni?
Edhe pse të gjithë me siguri kemi kaluar periudha të trishta ose të vështira, ajo që bën një çrregullim depresiv të ndryshëm nga të qenit i mërzitur ose të lodhur është se simptomat ndërhyjnë në funksionimin e përditshëm, shpjegon Jaime Zuckerman, PhD, një psikologe klinike e liçensuar.
Pra dikush që ndihet i trishtuar ose fajtor ose letargjik për disa ditë me gjasa nuk është i depresionuar, thotë Dr. Zuckerman. Përkundrazi, ndjenja e mungesës së shpresës që vjen me depresionin zgjat të paktën dy javë, së bashku me simptoma të tjera, shton ajo. Plus, depresioni mund të ndikojë fizikisht në një person. Nganjëherë kjo vjen në formën e dhimbjeve siç janë migrenat, dhimbjet e barkut, problemet me tretjen etj. "Njerëzit mendojnë se depresioni është thjesht një gjendje e rënduar humori, por ky është një besim i gabuar," thotë Dr. Zuckerman.
Depresioni është shumë i përhapur. Në vitin 2020, rreth 30% e të anketuarve të një studimi në Shqipëri të Departamentit të Shëndetit Publik të Universitetit të Mjekësisë, kishin përjetuar depresion. Edhe pse hulumtuesit nuk janë plotësisht të sigurt për shkakun rrënjësor të depresionit, ka shumë faktorë që mund ta bëjnë dikë më të prirur për ta përjetuar atë.
Si shumë çështje të shëndetit mendor, një histori familjare e depresionit ose problemeve të tjera me shëndetin mendor mund të rrisin shanset e dikujt për një diagnozë. "Ka një komponent gjenetik në depresion," konfirmon Dr. Zuckerman.
Përveç ADN-së, faktorët e jashtëm si ndryshimet e mëdha në jetë, trauma, problemet mjekësore, disa ilaçe, dhe stresi mund të rrisin gjithashtu rrezikun tuaj për depresion.
Si diagnostikohet depresioni?
Edhe pse çdo person mund ta përjetojë depresionin ndryshe, varësisht nga rrethanat dhe sa rëndë janë simptomat; për t’u diagnostikuar, një person ose mjeku i tij/saj duhet të verifikojë nëse këto simptoma po shkaktojnë shqetësim të konsiderueshëm klinikisht (ose në një gradë shumë të lartë) kur bëhet fjalë për jetën sociale, punën, jetën familjare, dhe detyrimet e tjera. Dhe, po, duhet të takoheni me profesionistë të shëndetit mendor për të vendosur diagnozën.
Për të përcaktuar nëse po përballeni me depresion ose diçka tjetër, ju dhe mjeku juaj duhet të bisedoni për simptomat tuaja (si ato të listuara më sipër) dhe sa kohë zgjasin. Nëse keni pesë ose më shumë nga simptomat e lidhura me depresionin dhe ato zgjasin pothuajse gjatë gjithë ditës, çdo ditë, për të paktën dy javë, ka një shans të lartë që të diagnostikoheni me depresion. Ndryshe nga probleme të tjera të shëndetit mendor që mund të duken si depresioni (për shembull: vdekja e dikujt të afërt dhe stërlodhja mendore), me depresionin ju ndiheni apatikë ndaj gjërave që më parë ju bënin të lumtur, ose mund të ndiheni të depresionuar pavarësisht nga çfarë bëni.
Diagnoza e depresionit është shumë e përhapur te njerëzit që vdesin nga vetëvrasja, por jo çdo person që përjeton mendimin vetëvrasës është i depresionuar dhe jo çdo person që është i depresionuar përjeton mendimin vetëvrasës.
A ka një kurë për depresionin?
Kurë të mirëfilltë nuk ka. Por ka shumë, shumë trajtime që profesionistët e shëndetit mendor mund të përdorin për të ndihmuar njerëzit me depresion të përmirësohen.
Një terapi shumë e përhapur është terapia kognitive e sjelljes (CBT), e cila ju ndihmon të mësoni të riformuloni të gjitha ato modele mendimi dhe sjellje të padobishme. CBT është një nga trajtimet më të studiuara për depresionin, kështu që është një vend i mirë për të filluar nëse nuk jeni të sigurt se çfarë lloj terapie të kërkoni. Ekziston gjithashtu terapia e pranimit dhe angazhimit (ACT), e cila ju ndihmon të mësoni të pranoni emocionet dhe përvojat tuaja negative dhe të ndryshoni mënyrën se si reagoni ndaj tyre, shpjegon Dr. Zuckerman. Megjithëse shkenca pas ACT për depresionin është më pak e studiuar se CBT, disa studime sugjerojnë se ajo mund të reduktojë simptomat depresive.
Ilacet janë një mjet tjetër që njerëzit mund të përdorin për të luftuar depresionin me ose pa terapi. Ilacet më të zakonshme janë inhibitorët e përzgjedhur të rikthimit të serotoninës (SSRI) dhe inhibitorët i rikthimit të serotoninës-norepinefrinës (SNRI). Të dyja këto rrisin nivelin e serotoninës ose norepinefrinës (ose të dyja) të pranishme në tru, të cilat mund të përmirësojnë humorin e njerëzve dhe të reduktojnë simptomat e tyre, shpjegon Dr. Zuckerman. Vetëm një paralajmërim: Antidepresantët mund të duan rreth katër dhe tetë javë për të filluar të funksionojnë. Kjo mund të jetë pak e bezdisshme, por pritja për të parë reagimin ndaj mjekimit është kyç.
Teksa terapia ose ilaçet, ose të dyja bashkë, janë të domosdoshme, shtimi i disa zakoneve të shëndetshme mund të bëjë gjithashtu ndryshim. Gjëra si përfshirja e 30 minutave aktivitet fizik në ditë (edhe dicka e lehtë si ecja), krijimi i një orari të caktuar për gjumin dhe zgjimin, kujdesi për ushqyerjen, lidhja me miqtë dhe familjen mund të ndihmojnë të gjitha. Hej, është shkencë.
Gjasat janë që njerëzit që fillojnë trajtimin për depresionin nuk do përjetojnë një ndryshim të menjëhershëm në gjendjen e tyre mendore, thotë Dr. Zuckerman. Përkundrazi, ata do të shohin "ndryshime të vogla në sjellje që lëvizin në drejtim të qëllimeve të tyre të trajtimit," shpjegon ajo. Por këto lëvizje të vogla (si, um, të jesh në gjendje të bësh dush sot) bëjnë një ndryshim të madh.
Vetëm se mund të duket e pamundur tani, nuk do të thotë se do të jetë kështu përgjithmonë, veçanërisht me ndihmën e një profesionisti të shëndetit mendor dhe një plani të vazhdueshëm trajtimi.
💬 Hapi i parë drejt një shëndeti mendor më të mirë është shpesh më i vështiri, por Bliss është këtu për të të mbështetur gjatë gjithë rrugës. Konsultohu me një psikolog online të verifikuar në bliss.al. 💜
Çdo informacion i publikuar në këtë faqe interneti nuk synon të zëvendësojë këshillat mjekësore. Gjithmonë konsultohuni me një profesionist të kualifikuar të shëndetit për çdo pyetje ose shqetësim në lidhje me shëndetin tuaj mendor.