Çfarë është depresioni situacional?

Çfarë është depresioni situacional?

Nëse sapo ke përjetuar një ndryshim të madh, të kanë hequr nga puna apo je ndarë nga i dashuri, gjasat janë që je duke e mbaruar letrën higjenike duke fshirë lotët nga zemërimi. Mbase ndihesh aq pa vlerë dhe e mërzitur sa që e vetmja gjë për të cilën ke energji është të shikosh serialin “Friends”. Dhe ato raste kur nuk je duke parë Netflix, me siguri zgjohesh natën duke pyetur veten se si dështove dhe pse ndihesh kaq keq. Rezulton se çfarë po kalon, mund të jetë në fakt depresion situacional.

Një gjë e shpejtë para se të zhytemi në detaje: Shëndeti mendor është kompleks dhe çdo person ka një përvojë unike, kështu që mos bëni autodiagnozë vetëm sepse keni lexuar disa artikuj në internet (megjithatë, ne e vlerësojmë që keni ndaluar të mësoni disa gjëra). Nëse kjo ju rezonon, konsiderojeni si një pikë nisjeje në udhëtimin tuaj për t’u kujdesur për veten. OK, le të fillojmë...

Çfarë është depresioni situacional?

Është pak a shumë njësoj siç tingëllon. Depresioni situacional është depresioni që vjen pas një ndryshimi stresues ose traumatik në jetë një situatë, si një ndarje, një sëmundje ose një vdekje.

Dhe ndërsa profesionistët e shëndetit mendor shpesh i referohen kësaj gjendjeje si depresion situacional, emri teknik i tij është "çrregullim i përshtatjes me humor të deprimuar" ose, nëse po përjeton simptoma të depresionit dhe ankthit, "çrregullim i përshtatjes me ankth të përzier dhe humor të deprimuar", sipas Manualit Diagnostikues dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-5-TR).

Çfarëdo që ta quash, depresioni situacional nuk është thjesht ndjenja e mërzitjes pas një ndryshimi të madh jete. Nëse je në këtë gjendje, me shumë gjasa shpezon shumë energji duke menduar për atë që sapo ka ndodhur, dhe pjesa e mërzitjes mund të jetë kaq intensive sa nuk përqendrohesh dot në punë ose të shijosh kohën me njerëzit e tu të dashur. Këto simptoma flluskojnë disa ditë pas situatës që shkaktoi mërzitjen ose deri në tre muaj më vonë, sipas DSM-5-TR.

Përveç kësaj, ndjenja jote e mërzitjes, mungesës së shpresës, dhimbjes, ose zemërimit për atë që ndodhi ndoshta ndihet "joproporcionale" me mënyrën se si mund të reagonin të tjerët në situatën tënde. Për shembull, nëse kanë kaluar muaj dhe ende bën mungesa në punë sepse nuk ndalon dot së qari dhe mezi ngrihesh nga shtrati, një profesionist i shëndetit mendor do të thonte se është shenjë e depresionit situacional. Megjithatë, mos harro, çdo gjë është relative. 

Depresioni situacional vs depresioni madhor

Në të dyja rastet, njerëzit me depresion situacional dhe depresion madhor, përjetojnë rënie të thellë humori, kanë vështirësi për të fjetur, hanë më shumë ose më pak se zakonisht, humbasin interesin në aktivitetet që zakonisht i kanë qejf, dhe e kanë shumë të vështirë të kryejnë detyrat e përditshmërisë.

Pra, për të dalluar nëse po përballesh me depresion situacional ose madhor (i njohur gjithashtu si çrregullim i depresionit madhor), një terapist ose psikiatër do të pyesë për historinë tënde të depresionit. Nëse ke kaluar diçka të tillë më parë, ka gjasa që aktualisht po përjeton një episod të përsëritur të depresionit madhor. Nëse kurrë nuk je ndjerë kështu më parë, ka më shumë mundësi të kesh depresion situacional. Pra, le të themi që ishe në rregull, më pas diçka ndodhi—u ndave, u shkarkove nga puna apo u sëmure—dhe pastaj të filluan simptomat e depresionit tënd.

Një profesionist i shëndetit mendor mund të të pyesë gjithashtu nëse ndihesh sikur ke ngecur në situatën që ndodhi dhe pasojat që vijuan. Kjo është një simptomë përcaktuese e depresionit situacional - për shembull, nuk ndalon dot së menduari për atë që tha ish-i ose e ke vazhdimisht mendjen te llogaria bankare pas shkarkimit nga puna.

Sa zgjasin simptomat e tua është një tjetër mënyrë që terapistët dhe psikiatritët mund të bëjnë dallimin midis depresionit madhor dhe atij situacional. Simptomat e depresionit situacional zakonisht nuk zgjasin më shumë se gjashtë muaj pasi fillon të merresh me çfarë ndodhi, por nëse problemi nuk zgjidhet lehtë (si çështjet financiare pas divorcit) simptomat mund të vazhdojnë të jenë të pranishme, sipas DSM-5-TR. Megjithatë, nëse zgjidh problemet e tua financiare dhe ende ndihesh shumë keq me humorin, mund të jesh duke u përballur me depresion madhor, i cili mund të zgjasë më shumë se një vit.

Si trajtohet depresioni situacional?

Depresioni situacional ndonjëherë mund të zhduket vetë. Por profesionistët e shëndetit mendor mund të sugjerojnë terapi dhe/ose medikamente, ashtu siç do të bënin me depresionin madhor. Nëpërmjet terapisë, mund të mësosh aftësi menaxhimi të situatës, si për shembull mënyra për të shmangur katastrofizimin rreth asaj që po kalon.

Shtimi i disa ndryshimeve në stilin e jetës gjithashtu mund të të ndihmojë të fillosh të ndihesh më mirë. Sigurisht, depresioni situacional e bën më të vështirë të bësh gjëra si të flesh mjaftueshëm, të bësh aktivitet fizik, të telefonosh rrethin tënd të ngushtë, ose të vazhdosh të bësh aktivitetet që të pëlqejnë, por këto janë në përgjithësi mënyrat më të mira për të përballuar stresin dhe për të kontrolluar ankthin dhe depresionin.

Si përfundim: Depresioni situacional mund të dojë muaj për t'u zgjidhur, por me terapi dhe/ose medikamente, mund të arrish ta kalosh atë më shpejt. Edhe nëse e mendon normale të ndihesh kështu sepse ke kaluar një episod shumë stresues, nuk humbet gjë ta flasësh me dikë dhe të edukohesh rreth mënyrave që ekzistojnë për ta menaxhuar më mirë. 

💬 Hapi i parë drejt një shëndeti mendor më të mirë është shpesh më i vështiri, por Bliss është këtu për të të mbështetur gjatë gjithë rrugës. Konsultohu me një psikolog online të verifikuar në bliss.al. 💜

Çdo informacion i publikuar në këtë faqe interneti nuk synon të zëvendësojë këshillat mjekësore. Gjithmonë konsultohuni me një profesionist të kualifikuar të shëndetit për çdo pyetje ose shqetësim në lidhje me shëndetin tuaj mendor.

Read more

Tags