Zhurma që askush nuk e dëgjon (II)

📝 Kjo ese është fituese e çmimit të dytë në konkursin e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Studentëve të Mjekësisë (ACMS), në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor – Maj 2025. Konkursi u zhvillua me mbështetjen e platformës Bliss, me qëllim të promovimit të reflektimit dhe hapjes së bisedave për mirëqenien emocionale mes të rinjve dhe profesionistëve të ardhshëm të shëndetit.
Shkruar nga Alisia Naska
Ka një diferencë të madhe ndërmjet të qenurit ekzistent në realitetin tonë dhe të jetuarit e realitetit tonë. Shpesh nuk e kuptoja dhe ende nuk e kam mjeshtëruar si aftësi të jetuarin jetën time sipas rregullave të mia. Më dukej dhe ende më duket kaq e sipërfaqshme fraza “Bëhu zot i fatit tënd, i jetës tënde”. Nuk e kuptoja ose, më saktë, nuk e ndjeja aq sa ta kuptoja saktë, por në këtë etapë të jetës, një etapë ku shumë gjëra janë sa të njohura aq dhe të panjohura për mua, ku nga dita në ditë njoh akoma dhe më shumë gjëra të reja për veten, kam filluar ta ndjej të domosdoshme zotërimin e kësaj aftësie, sepse kam kuptuar se është një çelës që hap shumë dyer dhe, çfarë është më e rëndësishmja, dyer që lidhen me individin tim në thelb, ku efekti që shkaktohet tek unë, qoftë për mirë, qoftë për keq, merr peshë primare.
Nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh rrallë që ndonjëherë vetja më duket e huaj në shumë aspekte. Jo rrallë ndjej sikur nuk flas të njëjtën gjuhë me shumë persona, por kjo nuk është diçka e gabuar as për mua dhe as për ata. Në fund të ditës, jemi piktorët e tablosë së jetës sonë dhe vendosim ne se çfarë ngjyrash do të përfshijmë në të e si i kombinojmë dhe harmonizojmë ato me njëra-tjetrën, duke krijuar copëza që plotësojnë një peizazh të plotë gjithmonë e më tepër në zhvillim, i cili herë është i qartë dhe herë i turbullt, herë solar dhe herë i zymtë, por tek e fundit, këtu qëndron dhe arti i vetë jetës, apo jo?
Kam qenë gjithmonë e besimit se ironia në dozat e duhura i jep nuanca inteligjence individit që e zotëron dhe përdor atë. Mund të dalim në një përfundim të këtillë qoftë edhe nëse i referohemi veprave letrare më të njohura, të cilat janë edhe më sfidueset dhe interesantet për të kuptuar moralin që ato japin nëpërmjet këtij mjeti artistik. Mendoj se edhe vetë jeta, sa komplekse aq edhe e thjeshtë në të sajën, preferon shumë të vishet jo rrallë herë nën hijen e këtij tipari, duke na dhënë morale të vlefshme, të cilat nuk është e thënë të kuptohen nga ne që me herën e parë të përjetimit të tyre, ndoshta as me herën e disatë.
Personalisht, deri në përjetimin e ditëve të fundit të gjimnazit, ditë të cilat përplasnin në mënyrë të beftë dhe tepër dinamike emocione krejt antagoniste – emocion, çlirim, ankth – por që çuditërisht dukej se plotësonin njëra-tjetrën mjaft të natyrshme, mendoja që shumica e pritshmërive, qëllimeve të mia në jetë ishin të plotësuara. Më dukej sikur pjesa më e madhe e jetës, momentet më sfiduese por edhe ato më të bukurat ishin ezauruar në vetvete. Por sot, në këto momente, jeta, me ironinë e saj fine dhe mjaft delikate, por që shpeshherë jep morale në rrugë të ashpra, më tregoi më së miri dhe vazhdon të më tregojë se çdo mbyllje e një etape është fillimi i ri i rrugëve që përmbajnë një mori emocionesh e ndjenjash që duhen përjetuar, e që ndërlidhen së bashku mjaft mjeshtërisht nga arti i vetë jetës, me qëllimin për të na çuar në pikëmbërritjen përfundimtare.
Kujtoja se ndërtimi i karakterit tim, personalitetit tim, ishte drejt proceseve përfundimtare dhe se gjërat do të ishin shumë më të thjeshta; marrëdhëniet me njerëzit, përputhja e botëkuptimeve të gjithësecilit prej nesh do të kryhej më thjeshtë. Dhe çfarë është më e bukura, besoja se kisha arritur të mësoja gjuhën time individuale plotësisht për të kuptuar po në të njëjtën mënyrë dhe sasi veten time, në heshtje dhe në zhurmë qoftë. Por gabohesha!
Baza e gjithësecilit prej nesh ndërtohet, ndikohet dhe formësohet nga shumë faktorë të jashtëm por edhe të brendshëm, duke iu referuar këtu ndjesive tona apo qoftë edhe tornadove të ndjenjave dhe mendimeve që jo pak herë na kaplojnë secilin prej nesh, dhe fatmirësisht do të vijojnë ta bëjnë për sa kohë të jemi pjesë e trupës teatrale të jetës. E konsideroj fat të mirë sepse në këtë lloj mënyre ndërtohen rrugë nëpërmjet fitoreve ose disfatave që përditshmëritë tona na përballin nëpërmjet përjetimeve të situatave të ndryshme. Kjo bazë qëndron solide dhe e palëkundur, duke na dhënë një identitet tonin unik, por nuk do të thotë se nuk pasurohet me degë të tjera, duke na dhënë asete akoma dhe më shumë për të manovruar në ujëra të tërbuar e të qetë, ku eksperiencat kthehen në varkat më solide për të mbijetuar e për të dalë gjithmonë e më i fortë.
Kam kuptuar që fjalori i gjuhës sime si person zhvillohet nga dita në ditë. Në po të njëjtën mënyrë, nga momenti në moment, mësoj mënyra të reja për të kuptuar veten, pasi më ndodh ende të mendoj se nuk kuptoj dot shumë persona përsa i përket mendimeve të tyre, mënyrës se si e perceptojnë një ngjarje ose dukuri në jetë. Por ja që përballem me faktin se jo rrallëherë, sfidohem që të gjej mënyrat më të mira për të kuptuar së pari veten! Nuk kam dështuar, përkundrazi, kam kuptuar se me pak durim dhe tolerim nga ana ime, gjej çdo ditë e më shumë mënyra se si ta zhvilloj në mënyrë të shëndetshme një komunikim formues me vetveten. Është terapia dhe, do thoja, ora më interesante e leksionit ku kam qenë deri më sot, pasi më ka bërë të kuptoj dhe vetë faktin se po aq tolerante dhe mirëkuptuese duhet të tregohem edhe me individë të caktuar,dhe duhet të bëj përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët, vijën e mesme, pa dëmtuar kufijtë dhe parimet e mia, dhe fitimi do të jetë i dyanshëm dhe reciprok, gjë që sjell vetëm përfitime dhe shëndet në çdo marrëdhënie njerëzore, duke siguruar dhe mbarëvajtje për çdo palë pjesëmarrëse.
Në përfundim, deri më sot që po shkruaj këtë ese, kam mësuar se duhet ta jetoj jetën me butësi. Sado që asaj i pëlqen shumë moda e të veshurit nën mantelin e ashpër të sfidave dhe pengesave, nga ana tjetër, tregon shumë herë edhe brishtësinë e saj, një aspekt që vihet re nga ne vetëm nëse mësojmë artin e të pikturuarit jetën tonë sipas perceptimeve tona, qofshin të sakta ose të gabuara. Deri në momentin që nuk kthehet pengesë dhe nuk njollos tablonë e dikujt tjetër, po zhvillohet minimalisht shëndetshëm. Është bukur të ndjesh dhe të tregohesh i sinqertë dhe guximtar me atë çfarë jeta ofron dhe me atë çfarë ti je i aftë dhe i vullnetshëm t’i japësh mbrapsht asaj. Jetoni bukur, me guxim, dhe çdo ngjyrë do të marrë kuptim duke formuar një tablo të plotë të asaj çfarë ne duhet të zgjedhim të na rrethojë, me vullnetin dhe dëshirën tonë të plotë dhe autentike.