Zhurma që askush nuk e dëgjon (I)

📝 Kjo ese është fituese e çmimit të parë në konkursin e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Studentëve të Mjekësisë (ACMS), në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor – Maj 2025. Konkursi u zhvillua me mbështetjen e platformës Bliss, me qëllim të promovimit të reflektimit dhe hapjes së bisedave për mirëqenien emocionale mes të rinjve dhe profesionistëve të ardhshëm të shëndetit.
Shkruar nga: Nina Ahmetaj – Viti 5, Mjekësi e Përgjithshme, UMT
Palpitacione. Djersë. Hiperventilim. Një orkestër në stomak që luan nota shqetësuese…1 dele, 2 dele, 3 dele…Gjumi nuk dukej në horizont. Mendimet sillen vërdallë si hiena të uritura. Tik taku i orës buçet më shumë se çdo herë. Merr frymë thellë. Mendimet zhduken për një moment, por tani është pulsimi i karotides që tërheq vëmendjen. Dreq o punë. S’paska gjumë sonte.
Hap dritaren. Errësirë. Qetësi. Jashtë nuk pipëtin asgjë, madje dhe ndonjë makinë tek tuk kur kalon, duket sikur ecën në shurdhësi. “Të bërtas njëherë? Fundja, kush do më dëgjojë në 3:15 të mëngjesit…të gjithë flenë. Maksimumi, do u duket si një ëndërr.” Ky mendim iku po aq shpejt sa erdhi në mendje, sepse në të qindtën e sekondit sytë dërguan si sinjal në korteks imazhin e një bufi. “Po ky nga doli tani? Ja, shenjë” Hap telefonin dhe kërkon: - Çfarë nënkupton bufi natën? Sytë lëvizin shpejt teksa mundohen të skanojnë materialin. “Ja, fiks si unë.” Pshehrëtin. “Ah, të kisha një cigare”, mendim që i kalonte në mendje kur gjendej në momente të tilla dhe pse nuk e pi. Ia kishte frikën vetes se nëse do e pinte disa herë do krijonte varësi. Se të tilla janë momentet e dobësisë, momente që na çojnë drejt tundimit.
“A është dhe mosha 18 vjeçare një moment i tillë? Një adoleshent i sapodalë nga bangat e shkollës që supozohet të vendosë për 50 vitet në vazhdim. A nuk është e tepërt? Ideja e të bërit para shpejt është tunduese, po ashtu dhe prestigji që mund të vijë nga zgjedhja e një profesioni të caktuar. Por nëse do mundnim, a do të ndryshonim zgjedhjet e bëra në atë moshë?” Është pyetje interesante në fakt, pavarësisht përgjigjes klasike – Nuk do ndryshoja asgjë nga jeta ime, pasi nuk do isha i njëjti person që jam sot. - Dhe sado e vërtetë të jetë, mendoj se të gjithë kemi situata që do i ndryshonim po të ktheheshim pas në kohë. “Ah, sikur të mundnim! Por jo. Ky është bekimi dhe mallkimi i njëkohshëm i jetës. Është bërë për t’u jetuar një herë, me zgjedhjet e sakta e të gabuara; zgjedhje që lidhen si efekt domino dhe krijojnë atë hartën që analizojmë kur mendojmë për të shkuarën.”
U kokoleps situata tani që hyri e shkuara në lojën e mendimeve. Ndaj duhet dikush të na orientojë, të na bëjë pyetjet e duhura për të arritur në rrënjën e mendimeve jo bashkëpunuese, e nëse është e nevojshme t’i shkuli ato rrënjë në mënyrë që të çelin mendime të reja. Në fakt, këtë vetëm ne mund ta arrijmë këtë, por duhet pranuar ndihma e dikujt që e di se ç’bën. “Sa mirë do ishte sikur teoria dhe praktika të përputheshin. Pse vallë duhet të kërkojmë ndihmë vetëm në momentin që jemi totalisht të pashpresë edhe pse predikojmë mesazhe të tjera?”
Akrepat shënonin 4:00. Në sfond luhej “Ma leht’ pa dhimbje”, sepse sigurisht që këto situata duhen shoqëruar me këngë të tilla. “Pas diellit prap shi do t’ketë, kështu asht në të vërtëtë.” Shije kripe në buzë. U hap çezma. Teksa qëndronte vetëm në errësirë, me faqet e njomura çoi nëpërmend gjithë listën e gjërave që duhej të bënte nesër, pasnesër, deri në tetor…Dispne. Mori frymë thellë teksa mori një letër për të bërë një “to-do list”. Filloi t’i dhimbte koka. Ishte rritur presioni intrakranial nga e qara, ishin tensionuar muskujt e mimikës. “Sa ndjesi e bukur është ta dish çfarë po ndodh me trupin tënd. Ja një nga arsyet pse e kam zgjedhur mjekësinë. Po a ia vlen gjithë kjo trysni? Dhimbja e kokës do kalojë, po a do kalojë stresi dhe shqetësimi i vazhdueshëm për mos të dështuar, për të qenë mjaftueshëm e aftë për t’ja dalë? Si ka mundësi që të tjerët kanë më shumë besim tek unë se unë të vetja ime? Kaq konfidencë përçoj vallë?...”
Teksa mendimet u vërsulën, u kujtua që i pihej ujë. Përtoi të çohej ta merrte, në fakt mori telefonin në dorë dhe hapi “Instagram-in”. Ora ndërkohë kishte vajtur 4:30. Video, foto, story…njëri kishte nisur sezonin veror, një tjetër ishte në party, dikush kishte postuar rutinën para gjumit e një tjetër kishte dalë për vrap dhe kishte shënuar rekord. “Po unë çfarë po bëj? As po fle, as po mësoj, as po bëj ndonjë gjë me vlerë. Gjithë pasditen në krevat. Ishte dhe ditë e bukur dreqin, do kisha shkrepur ndonjë foto.” I erdhi të qeshë. Dhe në këtë moment, mendjen të shkrepte ndonjë foto, të zinte memorien e telefonit dhe ta postonte. “Po për çfarë poston në fund të ditës? Për të treguar sa bukur po ia kalon; sa produktive je? Kujt po i intereson fundja?! Secili ka jetën e vet, po aq komplekse sa tënden. Pse lakmon “rehatinë” në dukje të dikujt tjetër? Secili kalon sfidat e veta.” “Ka një fjalë për këtë më duket.” Hyn në “Google” dhe kërkon. “Sonder.” “E dija që e kisha lexuar diku. A flasin të gjithë me veten kështu vallë? Kurioze jam ta di çfarë kalon në mendjen e secilit…jo, jo. Unë s’po ia dal dot me mendimet e mia, secili të mbajë barrën e vet”.
Heshtje. “Jam shumë e lodhur, e ta mendosh që do zgjohem për 3 orë.” Pshehrëtimë. Mori në dorë “to-do list-ën” dhe qarkoi vetëm ato që i duhej të bënte për nesër. “Po, po, këto i mbyll të gjitha nesër”. Ndihej pak më e qetë. E qara vërtet të ngarkon fizikisht, por të ndihmon të shkarkosh emocionalisht. Ama në vetmi. Vulnerabiliteti nuk duhet të jetë shfaqje për të tjerët. Ç’kusur kanë dhe ata? Kot nuk jemi mësuar që të vegjël që pyetjes – “Si je?” duhet t’i përgjigjemi gjithmonë – “Mirë, po ti” dhe të presim të njëjtën përgjigje në këmbim. Se ja fillove të tregosh problemet e tua, sapo të kesh kaluar rrugën, i ka marrë era, dhe me të drejtë. Se njerëzit janë lumenj, gjithmonë rrjedhin, gjithmonë ndryshojnë dhe na shoqërojnë në faza të ndryshme të jetës, ama shtëpi kemi vetëm një, veten – kam lexuar diku. Sa fjali me vend. Ndryshimi, dashuria, pranimi fillon nga brenda shtëpisë sonë, vetëm kështu mund të rritet e të zbukurohet teksa i forcohen themelet”.
Nuk po e duronte dot më etjen. Shkoi në kuzhinë, piu ujë dhe nxorri prapë kokën në dritare. Erë e lehtë pranverore. Tjetër frymëmarrje e thellë. Disa dritare ishin ndriçuar tashmë dhe pse jashtë vazhdonte të ishte errësirë. Kërkoi me sy bufin që pa më parë. Nuk dukej gjëkundi. Në distancë dëgjoheshin të qeshura adoleshentësh. Qepallat po afroheshin me njëra tjetrën. Mbylli dritaren dhe u shtri. Me njërën këmbë jashtë jorganit, u kthye përmbys dhe mbylli sytë. Teksa mendonte që ky nuk është pozicion i mirë gjumi, u përhumb si nën efektin e fentanylit. Në mëngjes do zgjohej me sy të fryrë me siguri, po të paktën e nesërmja do të ishte ditë e re.