Zhurma që askush nuk e dëgjon (III)

Zhurma që askush nuk e dëgjon (III)

📝 Kjo ese është fituese e çmimit të tretë në konkursin e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Studentëve të Mjekësisë (ACMS), në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor – Maj 2025. Konkursi u zhvillua me mbështetjen e platformës Bliss, me qëllim të promovimit të reflektimit dhe hapjes së bisedave për mirëqenien emocionale mes të rinjve dhe profesionistëve të ardhshëm të shëndetit.

Shkruar nga: Brunilda Dautaj

Jam në përfundim të vitit të gjashtë të mjekësisë dhe, akoma pa u shtyrë e hedhur në gjurulldinë e të panjohurës e ushtrimit të profesionit me përgjegjësi të plota, kam arritur të kem ata që i quaj pacientët e mi; pacientë që kërkojnë të shihen, të dëgjohen e të kuptohen, çka për mendimin tim e të tyrin përbën gjysmën e rrugës drejt shërimit.

Të jem krejtësisht e sinqertë, deri në përfundim të vitit të tretë nuk kisha një qëllim kryesor se ku doja të arrija dhe çfarë doja konkretisht nga kjo rrugë që po ndiqja. Të paktën deri në momentin kur më duhej të kujdesesha për gjyshin tim të ndjerë, fjalët dhe këshillat e të cilit jetojnë akoma me mua, dhe gjej rastin e përshtatshëm t’i shpreh edhe këtu. Sa herë i duhej ndihmë dhe kujdes nga unë, më thërriste me zë të ngjirur por të fortë që nga dhoma tjetër, ndërkohë që përgatitesha për provimin e fiziologjisë. Dhe, duke u ndjerë disi egoistisht e rëndësishme që ai kishte besim vetëm te kujdesi im, shkoja çdo herë e qeshur dhe e gatshme për ta ndihmuar për nevojën që kishte. Kështu ndodhte çdo ditë; nuk u lodha asnjëherë, prandaj një ditë më tha: “Ah, moj bija ime; të lutem, kurrë mos e kurse buzëqeshjen për pacientët e tu. Ja, kështu siç më vjen mua gjithmonë e qeshur, ashtu dua të jesh edhe me të tjerët, sepse te mënyra si qasesh ndaj tyre dhe sa i mbështet e i kupton, aty ke arritur pothuajse t’i shërosh.”

Javën e kaluar fillova ciklin e fundit që përmbyll dhe vulos denjësisht përfundimin e studimeve në mjekësi: Psikiatria. Sapo u futa në godinë, m’u përplas në fytyrë një aromë e mbytur dhe e ndenjur myku, dhe ajër që rëndonte në korridorin që bërtiste pa zë dëshpërimisht të ajrosej, pak a shumë si banorët e saj. Doktoresha e seminarit na drejtoi tek pavioni i pacientëve gra. Pasi u futëm përtej një dere që u rikyç mbrapa nesh, e para që na priti ishte një vajzë e zbehtë dhe thatime, tek të 20-tat dhe me një shprehí të akullt në fytyrë më drejtoi gishtin dhe më pyeti për emrin. Në sytë e saj të zinj nuk kishte asgjë më shumë sesa zbrazëti.U mundova tmerrësisht shumë të ruaja qetësinë dhe t’i flakja një buzëqeshje të vobektë. Nga mungesa e një reagimi të dukshëm nga unë, gishti i saj u drejtua nga një shoqe tjetër ime, e cila, nga ana e saj, nuk ishte shumë krenare më vonë për mënyrën si reagoi ndaj gishtit qetësisht kërcënues të vajzës.

“Skizofreni nga abuzimi me drogëra,” na tha nën zë doktoresha që na shoqëronte pasi dolëm nga pavijoni ku kishim parë mjaftueshëm diagnoza psikiatrike. Nuk më hiqet nga mendja pamja e saj e akullt dhe sytë e zbrazët thuajse pa jetë. Sa luftëra të fshehta mund t’i kenë trazuar shpirtin e sytë, që në fund të zërë vend boshësia. Sa herë nuk është kuptuar e dëgjuar që t’i dorëzohej substancave. Qetësia e saj e akullt nuk është gjë tjetër veçse zhurmë e vuajtjes së brendshme; shpërthimeve të fshehura nën petkun e tabusë, varësisë që vret ngadalë deri në agoni.

Shëndeti mendor nuk diskutohet mjaftueshëm; ose diskutohet për as më shumë se për t’u gjykuar dhe përfolur. Në Shqipërinë tonë të vogël, po ashtu edhe obsesioni ndaj substancave dhe kriminaliteti, deri dhe tek gjakosja e duarve të fëmijëve, si në rastin e vrasjes së Martinit të ndjerë e ngjarje të tjera të ngjashme, zhurma e të cilave nuk zgjat më shumë se tre ditë; injorohet, harrohet, bëhet e padukshme për syrin, e pavërejtur nga sistemi, e neglizhuar nga shoqëria. Ama infiltratet mbeten, shtohen, vazhdojnë ciklin e tyre vicioz shkak-pasojë, dhe bota rrotullohet komplet qetësisht në arrogancën e saj neglizhuese, sikur s’po ndodh asgjë.

Gjithsesi, në këtë minirevoltë dua të kundërshtoj fuqishëm stigmat që ekzistojnë: që një person në depresion është i dobët; se ankthi është thjesht në mendje; apo se drogat janë “zbavitje” apo “dëshirë për shthurje” dhe jo si përpjekje për të mpirë dhimbjen e brendshme e për të ndaluar zhurmat e vuajtjes së brendshme. Kur në fakt, statistikisht, një përqindje shumë e lartë e personave të burgosur kanë vuajtur më parë nga çrregullime të shëndetit mendor apo varësia ndaj substancave, por sistemi i drejtësisë rrallë i trajton si pacientë e shpesh si shkelës të ligjit.

Në një botë ku shpesh dhimbja vishet me heshtje dhe e vërteta fshihet pas qetësisë së rreme, zërat e atyre që vuajnë bëhen si një violinë e prishur që luan vetëm për ata që kanë sy për të parë heshtjen dhe veshë për të dëgjuar zhurmën që askush nuk e dëgjon. Shëndeti mendor është shpesh një dhomë pa dritare, ku pacientët enden si hije, ndërkohë që shoqëria sheh vetëm derën e mbyllur dhe jo klithmat që përplasen në muret e saj.

Si mjeke e ardhshme, nuk dua thjesht të vesh një përparëse të bardhë dhe stetoskop në qafë për të treguar autoritet e për të pritur vlerësim nga përpjekjet e vogla; dua të jem ajo që çel dritaret e të punoj me një staf që mbush me ajër të pastër ato korridore të mbytura, që ofron jo vetëm trajtim, por edhe pranim; jo vetëm dije, por edhe dhembshuri. Sepse ndonjëherë, një buzëqeshje e sinqertë dhe një dëgjim i vërtetë janë më të fuqishme se çdo recetë. Dhe, në këtë betejë të qetë, por të përditshme, dua të jem një dëshmi se edhe zhurmat më të heshtura meritojnë të dëgjohen.Zhurmat që nuk dëgjohen dot me asnjë mjet; aq më pak me stetoskop; veçse me një mendje e zemër të pastër. Brunilda Dautaj

Read more

Tags