Etika profesionale në këshillim dhe psikoterapi

"Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të pacientëve të mi, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë." - Betimi i Hipokratit
Etika është një ndër shtyllat profesionale më të rëndësishme në ushtrimin e çdo profesioni, dhe sigurisht këtu nuk përjashtohet këshillimi psikologjik apo psikoterapia. Rregullat etike janë ato të cilat e drejtojnë sjelljen e një profesionisti tek dhënia e shërbimit sa më cilësor të mundshëm. Shërbimi cilësor nënkupton që në krye të vendosen interesat madhore të personave që e marrin shërbimin, në rastin e këshillimit psikologjik klientët ose pacientët. Parimet etike kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar me kalimin e viteve, dekadave, dhe shekujve. Etika sigurisht është dhe filozofi por edhe praktikë, duke qenë se në botën dhe shoqëritë ku jetojmë gjërat nuk janë asnjëherë bardhë e zi; njerëzit janë qenie të ndërlikuara dhe patjetër që shoqëritë dhe kulturat rrjedhimisht do të jenë të ndërlikuara.
Disa parime etike janë kryesore në ushtrimin e profesionit të këshilluesit ose psikoterapistit. Përmbledhtazi, këto shtylla të zbatimit të etikës profesionale të psikologëve, sipas Këshillit për Psikoterapinë në Mbretërinë e Bashkuar, garantojnë një proçes profesional dhe efektiv të këshillimit psikologjik.
Interesat në të mirë të klientit
Garantimi i interesave më të mirë të klientit nënkupton trajtimin e klientëve me respekt, dinjitet, shmangien e abuzimit (emocional, ekonomik, seksual) me ta, respektimi i autonomisë së klientëve, respektimi i të drejtave ligjore (sidomos në rastet e punës me të mitur).
Diversiteti dhe barazia
Respektimi i diversitetit nënkupton përpjekjet e këshilluesve për të shmangur paragjykimet ndaj klientëve bazuar në gjini, moshë, ngjyrë lëkure, racë, aftësi të kufizuara, orientim seksual, status social, status ekonomik, status emigranti, mënyrë jetese, besim fetar apo kultutor, të cilat pengojnë formimin e një marrëdhënie të shëndetshme dhe frytdhënëse terapeutike.
Konfidencialiteti
Shpeshherë konfidencialiteti si parim etik konsiderohet parimi më i rëndësishëm i etikës profesionale. Sigurisht që askush prej nesh nuk do të shkonte, jo vetëm tek një këshillues, por dhe tek një mjek, avokat, ekonomist, etj., i cili ose e cila diskuton me të tjerë gjëra që janë personale per secilin. Këtu garantohet privatësia e çdo informacioni që thuhet në një seancë dhe mbulimi i çdo informacioni që mund të identifikojë një klient. Por konfidencialiteti ka disa kufizime ligjore, për shembull nëse një këshillues është në dijeni të një abuzimi të një të mituri, ai ose ajo është i/e detyruar ligjërisht të raportojë shkeljen ligjore. Zakonisht, për të shmangur moskuptimet ose keqinterpretimet mbi konfidencialitetin, këshilluesit ua bëjnë të ditur kufizimet ligjore klientëve, ose verbalisht ose nëpërmjet një kontrate të shkruar dhe të firmosur nga të dy palët.
Sigurisht që ka dhe parime të tjera etike të cilat janë më specifike dhe më teknike për profesionistët, por duhet thënë se pjesa më e madhe e çështjeve të garantimit të ofrimit të një shërbimi këshillues dhe psikterapeutik sa më cilësor bazohen në sinqeritet, respekt për klientët, ekspertizë profesionale, etj. Secili parim i shërben proçesit të këshillimit në mënyrën e vet. Për shembull, konfidencialiteti dhe sinqeriteti i shërbejnë ndërtimit të një marrëdhënie të shëndetshme profesionale dhe një aleance terapeutike e cila qendron në bërthamë të suksesit të seancave të këshillimit, mbarëvajtjes së trajtimit, dhe rezultateve të ndërhyrjeve dhe terapisë. Nga ana tjetër, respektimi i të diversitetit dhe barazisë, jo vetëm që është një e drejtë miminale e njeriut, por shumë klientëve i shërben si një katapultë drejt të ndjerit më të pranuar nëse zakonisht kanë qenë të diskriminuar, përjashtuar, abuzuar, shfrytëzuar, etj., dhe këtë pranim nuk e kanë gjetur në jetën e tyre.
Zbatimi i etikës profesionale është një rregull i rëndësishëm i rregulluar me ligj dhe nëse këto rregulla minimale nuk zbatohen, këshilluesit dhe psikoterapistët, mund të penalizohen në forma nga më të ndryshmet.
Ky artikull është përgatitur nga Psikolog Almir X.