Ja çfarë duhet të dini për çrregullimin e ankthit të përgjithësuar (GAD)

Të gjithë jemi një lajm larg nga një spirale ankthi, por kur bëhet fjalë për çrregullim?
Në rast se memet për ankthin nuk e kanë bërë të qartë: Ndjenja e ankthit është një gjë që pothuajse të gjithë e kemi të përbashkët tani. Mes pandemisë, luftrave në cepa të ndryshme të globit dhe sulmeve të shumta ndaj të drejtave të njeriut, ankthi duket si një reagim mjaftueshëm njerëzor me gjithë gjërat që po ndodhin në botë - dhe shumë ekspertë bien dakord. Megjithëse bota mund të jetë objektivisht lëmsh, nëse ankthi po ju pengon të jetoni jetën tuaj dhe të bëni gjërat që janë të rëndësishme për ju, duhet të kërkoni ndihmë. Në fakt, ndjenjat e ankthit që janë aq të forta sa ndikojnë në mënyrën se si veproni gjatë ditës tuaj mund të jenë shenjë e një çrregullimi të vërtetë të ankthit si Generalised Anxiety Disorder (GAD) — një gjë që përjetojnë rreth 25% e të anketuarve në Shqipëri sipas studimit të Departamentit të Shëndetit Publik të Universitetit të Mjekësisë.
Ja çfarë duan profesionistët e shëndetit mendor të dini për çrregullimin e ankthit të përgjithësuar (spoiler: është i zakonshëm—dhe i trajtueshëm!), nga mënyrat se si mund të shfaqet në mendjen dhe trupin tuaj deri te gjërat që mund t'ju ndihmojnë të filloni të jetoni me më pak shqetësime (dhe me supet më pak të tensionuara).
Një gjë e shpejtë përpara se të zhytemi në detaje: Shëndeti mendor është kompleks dhe çdo person ka një përvojë unike, prandaj mos filloni të diagnostikoni veten vetëm sepse keni lexuar disa artikuj në internet (megjithatë, ne e vlerësojmë që keni ndalur për të mësuar disa gjëra). Nëse kjo ju rezonon, konsiderojeni si një pikë nisjeje në udhëtimin tuaj për t’u kujdesur për veten. OK, le të fillojmë...
Çfarë është çrregullimi i ankthit të përgjithësuar?
Shumë njerëz me çrregullim të ankthit të përgjithësuar (GAD) ndihen shpesh të nervozuar, të shqetësuar dhe kanë një ndjenjë frike pa asnjë arsye të dukshme. Këto ndjenja pengojnë mënyrën se si jetoni dhe vazhdojnë të ekzistojnë pavarësisht nëse keni një stil jetese të stresuar apo jo. Ky ankth qëndron për muaj me radhë, me raste edhe me vite. Është shumë e zakonshme për njerëzit që kanë GAD të identifikohen si njerëz që shqetësohen për gjëra që ende nuk kanë ndodhur.
Megjithatë, disa njerëz me GAD nuk identifikohen si ankthioz. Përkundrazi, ata mund të raportojnë se shpesh ndihen të zemëruar, të irrituar, me humor të keq, ose të frustruar—dhe vetëm kur fillojnë të shqyrtojnë pse janë kaq të acaruar gjatë seancave me një terapist, kuptojnë se në fakt kanë ankth.
GAD mund të shkaktojë veçanërisht përkeqësim në fokusin dhe cilësinë e gjumit tuaj. Kjo e bën të vështirë të përqendroheni në punë ose të përfundoni gjërat nga lista juaj e detyrave. (Për shembull: Ka shumë njerëz që mendojnë se vështirësitë e tyre me produktivitetin kanë të bëjë me ADHD kur në të vërtetë kanë të bëjnë me GAD.)
Përveç simptomave emocionale të përmendura më sipër, shenjat që mund të keni GAD përfshijnë gjithashtu simptoma fizike si djersitje shtesë, trullosje, vështirësi në gëlltitje, mungesë frymëmarrje, dhimbje stomaku, ose të tjera si vështirësi në tretje (disa studime e lidhin ankthin me IBS), dhimbje koke, ose dhimbje të tjera të paqarta.
Vërtet çdokush mund të diagnostikohet me GAD, por duket se është më i përhapur tek gratë, dhe simptomat shpesh shfaqen rreth moshës 30 vjeç.
Çfarë e shkakton çrregullimin e ankthit të përgjithësuar?
Ekspertët besojnë se faktorë të shumtë mund të kontribuojnë në çrregullimin e ankthit të përgjithësuar. Një faktor kryesor është historia juaj familjare, si për shembull komponenti gjenetik. Nëse keni një anëtar të familjes—veçanërisht një prind—me çrregullim të ankthit të përgjithësuar, jeni më të prirur që ta keni dhe ju.
Megjithatë, varet gjithashtu nga mjedisi që ju rrehton. Nëse jeni rritur me një prind që lufton me ankthin, thjesht ekspozimi ndaj kësaj mënyre të menduari dhe sjellje mund të kontribuojë në zhvillimin e modeleve të ngjashme tek ju.
Nuk është gjithashtu e pazakontë që ankthi dhe depresioni të ecin dorë për dore, që do të thotë se njerëzit që përballen me depresion janë më të prirur të kenë gjithashtu ankth.
Si diagnostikohet çrregullimi i ankthit të përgjithësuar?
Zakonisht, gjëja e parë që një profesionist i shëndetit mendor ose mjeku juaj do të kërkojë është që të kuptojë efektet e ankthit tuaj në pjesë të tjera të jetës suaj. Ata mund t'ju pyesin për gjumin, marrëdhëniet tuaja (humori i keq ose lodhja ekstreme ndikojnë sigurisht në mënyrën se si silleni me miqtë, familjen dhe partnerët romantikë) dhe aftësinë tuaj për t’u përqendruar së fundmi.
Ata gjithashtu do të duan të dinë sa kohë keni që i përjetoni shenjat e ankthit. Nëse keni pasur të paktën tre nga simptomat e tanishme shumicët e ditëve në gjashtë muajt e fundit, ju mund të diagnostikoheni me GAD, sipas DSM-5-TR.
Si trajtohet çrregullimi i ankthit të përgjithësuar?
Pas bisedës me një mjek, terapist ose psikiatër dhe marrjes së një diagnoze GAD, ata mund të sugjerojnë terapi, ilaçe ose të dyja bashkë. Terapia kognitive e sjelljes (CBT) është metoda e parë për trajtimin e çrregullimit të ankthit të përgjithësuar dhe studimet mbi çrregullimin e ankthit të përgjithësuar sugjerojnë se CBT është një modalitet shumë efektiv. Në seancat e terapisë, do të punoni me psikologun tuaj për të sfiduar mendimet tuaja ankthioze, për t’u përballur situatat që ju shqetësojnë në mënyra të reja dhe për të transformuar mendimet tuaja. Qëllimi është që ju të riformuloni mendimet tuaja dhe mos e lejoni ankthin të përcaktojë mënyrën si silleni. Edhe pse disa njerëz fillojnë të ndjejnë përmirësime brenda disa seancave, angazhimi për disa muaj terapi është mënyra më efektive për të trajtuar GAD.
Sa i përket ilaçeve, ka dy lloje të antidepresantëve që përdoren zakonisht për njerëzit me çrregullim të ankthit të përgjithshëm (vetëm me recetë nga mjeku!). Njëri quhet një inhibitor i përzgjedhur i rikthimit të serotoninës (SSRI) dhe tjetri është një inhibitor i rikthimit të serotoninës-norepinefrinës (SNRI). Duke qenë se ato kanë një ndikim gradual, rekomandohet që zakonisht t’i përdorni ato për gjashtë muaj deri në një vit përpara se të vendosni nëse ato punojnë për ju apo jo. Mjeku juaj mund të ketë nevojë të përshtatë dozën ose llojin e ilaçit gjatë fillimit të kurës. Pasi të keni gjetur dozën dhe llojin që funksionon më mirë për ju, mund të vëreni një ndryshim brenda disa javëve. Nëse ankthi juaj është vërtet shkatërrues, një mjek mund gjithashtu të përshkruajë një sedativ kundër ankthit, si benzodiazepina, për t'u përdorur sipas nevojës në rastet e simptomave më të rënda.
Mos harroni, nëse keni çrregullim të ankthit të përgjithësuar, qëllimi nuk është të eliminoni plotësisht ankthin (pasi është një reagim natyral i trupit tonë), por të zvogëloni ndikimin e tij në përditshmërinë tuaj në mënyrë që të përmirësoni cilësinë e jetës.
💬 Hapi i parë drejt një shëndeti mendor më të mirë është shpesh më i vështiri, por Bliss është këtu për të të mbështetur gjatë gjithë rrugës. Konsultohu me një psikolog online të verifikuar në bliss.al. 💜
Çdo informacion i publikuar në këtë faqe interneti nuk synon të zëvendësojë këshillat mjekësore. Gjithmonë konsultohuni me një profesionist të kualifikuar të shëndetit për çdo pyetje ose shqetësim në lidhje me shëndetin tuaj mendor.