Ke stres, ankth apo mbingarkesë?

Ke stres, ankth apo mbingarkesë?

Me siguri ka ditë ku ndoshta thua gjëra të tipit si: "Jam shumë e/i stresuar", ose "Kjo po më jep shumë ankth" ose "Jam shumë i/e mbingarkuar". Por, në fakt, këto ndjesi janë definitivisht jo e njëjta gjë. Sigurisht, mund të ketë ndonjë mbivendosje të vogël në mënyrën se si stresi vs ankthi vs mbingarkesa shfaqen mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht, por të kuptuarit se si ndryshojnë nga njëra tjetra mund të ndihmojë t’i menaxhosh në mënyra më efektive.

Më poshtë, ne shpjegojmë se si përjetohet secila ndjesi, çfarë mund ta shkaktojë atë dhe saktësisht çfarë të bësh kur ajo shfaqet - për ta menaxhuar situatën fiks si njeriu emocionalisht inteligjent që je!

Çfarë është stresi?

Stresi është përgjigja natyrore e trupit ndaj sfidave ose kërcënimeve. Kur përballesh me një situatë që truri yt e sheh si sfiduese, trupi yt sekreton hormone që të bëjnë të ndihesh i/e zgjuar, e/i gatshëm për veprim, dhe në tension. Kjo është njohur ndryshe si përgjigja "lufto ose ik" (“fight or flight”). Në doza të vogla, stresi mund të jetë motivues dhe të ndihmojë në përmirësimin e performancës. Megjithatë, kur stresi bëhet i vazhdueshëm ose shumë i fortë, ai mund të kthehet në një problem për shëndetin mendor dhe fizik.

Si të merresh me stresin

  1. Bëj aktivitet fizik: Ushtrimi fizik rregullisht mund të ndihmojë në uljen e niveleve të stresit.
  2. Krijo një rutinë qetësie: Praktikat si meditimi, yoga, ose thjesht të qenit në natyrë mund të ndihmojnë në relaksimin e mendjes dhe trupit.
  3. Puno me menaxhimin e kohës: Vendosja e prioriteteve dhe delegimi i detyrave mund të ndihmojë në reduktimin e ndjenjës së mbingarkesës dhe stresit që shkakton.
  4. Kërko mbështetje: Të folurit me miq ose familjarë mund të ofrojë lehtësim emocional.

Çfarë është ankthi?

Ankthi është një ndjenjë e thellë shqetësimi, shpesh pa një shkak të qartë ose të drejtpërdrejtë. Ai mund të manifestohet në forma të ndryshme, si tension i përgjithshëm, frika për situata që nuk kanë ndodhur ende, ose edhe si ndjenjë paniku. Tek sa është normale të kesh ankth herë pas here, nivelet e larta të vazhdueshme të ankthit mund të jenë shenjë e një çrregullimi më serioz të ankthit.

Si të merresh me ankthin

  1. Mëso të njohësh shenjat e tua të ankthit:  Duke qenë e/i vetëdijshëm për cfarë të shkakton ankth, mund të fillosh të punosh me strategji për t'i menaxhuar ato shkaqe.
  2. Praktiko teknika të frymëmarrjes dhe relaksimit: Teknikat e frymëmarrjes së thellë dhe praktikat e relaksimit mund të ndihmojnë në uljen e simptomave të ankthit në momente të tensionuara.
  3. Bisedo me një profesionist/e: Nëse ankthi ndikon në aftësinë tënde për të jetuar një jetë të lumtur, konsidero të kërkosh ndihmë nga një terapist/e.

Çfarë është mbingarkesa?

Mbingarkesa ndodh kur ndihesh se ke më shumë për të bërë sesa ke kapacitet mendor dhe/ose fizik të menaxhosh. Kjo mund të vijë si rezultat i presioneve të punës, jetës familjare, ose thjesht nga përpjekja për të përmbushur pritshmëritë e tua të larta. Mbingarkesa mund të çojë në ndjesinë e disfatës dhe të mbingarkesës emocionale.

Si të merresh me mbingarkesën

  1. Vendos kufij të shëndetshëm: Mëso të thuash "jo" kur është e nevojshme dhe të mos pranosh më shumë detyra sesa mund të menaxhosh.
  2. Organizo dhe prioritizo detyrat e tua: Shkruaj një listë dhe vendos cilat janë detyrat më të rëndësishme ose urgjente.
  3. Merr kohë për veten: Sigurohu që të kesh kohë në axhendën tënde për aktivitete që të bëjnë të ndihesh mirë.

Si përfundim…

Nuk e ke aq gabim nëse mendon se stresi, ankthi dhe mbingarkesa janë shumë të ngjashme. Por njohja e nuancave delikate të secilës prej tyre mund të të ndihmojë t'i menaxhosh ato në mënyra më efektive. Gjithashtu na ndihmon të jemi të vetëdijshëm për atë që ndiejmë në të vërtetë. Një gjë e fundit, nëse po ndjen ndonjë nga këto emocione gjatë gjithë kohës, kjo është një arsye e mirë për të kërkuar një mbështetje profesionale. 

💬 Hapi i parë drejt një shëndeti mendor më të mirë është shpesh më i vështiri, por Bliss është këtu për të të mbështetur gjatë gjithë rrugës. Konsultohu me një psikolog online të verifikuar në bliss.al. 💜

Read more

Tags