Të mërzisin festat e të tjerëve? Ja çfarë mund të bësh

Nëse të kanë lodhur story-t me pemë të zbukuruara dhe darka familjare perfekte në Instagram, ky artikull është për ty. Le të jemi të sinqertë - festat nuk janë gjithmonë aq të gëzueshme sa duken në rrjetet sociale. Në fakt, mund të jenë mjaft stresuese, veçanërisht kur sheh të tjerët duke festuar dhe fillon të krahasosh jetën tënde me të tyren.
Ndoshta po mendon se pse familja jote nuk ka darkën e madhe të bashkuar si të tjerët, ose pse nuk po kalon pushime në destinacione ekzotike si kolegët e tu. Ndoshta je në një vend të huaj dhe po sheh të tjerët të festojnë me familjet e tyre, ndërsa ti je larg. Këto mendime mund të të bëjnë të ndihesh bosh, sikur diçka mungon në jetën tënde. Mund të fillosh të pyesësh veten: "Çfarë nuk shkon me mua?", "Pse nuk e kam dhe unë këtë jetë të përkryer?", ose "A jam 'mbrapa' në jetë?".
Por para se të hedhësh telefonin në mur ose të mbyllesh në dhomë, ja disa këshilla që mund të të ndihmojnë:
1. Fillo një detoks nga mediat sociale
E dimë që e ke të vështirë ta bësh këtë, por mediat sociale mund të jenë vërtet toksike për shëndetin tënd mendor. Vëzhgo se si ndihesh para dhe pas përdorimit të tyre, veçanërisht gjatë festave. Cilat aplikacione të bëjnë të ndihesh më keq? A ka llogari të caktuara që të stresojnë më shumë?
Nëse vëren se disa llogari në Instagram të bëjnë të ndihesh keq (si ajo shoqja e shkollës që tani jeton në Londër dhe kalon pushime luksoze në Dubai), "mute" ose bllokoji - të paktën gjatë kësaj periudhe.
2. Kujto që rrjetet sociale janë 'best of' i jetës së dikujt
Thuaje me vete: Mediat sociale janë vetëm momentet më të mira! Seriozisht, askush nuk i poston problemet, mërzitjet apo momentet e vështira. Ato story-t perfekte që sheh janë vetëm një pjesë e vogël e realitetit. Nuk e di kurrë se çfarë ndodh në të vërtetë pas skenave.
3. Fokusohu te vetja
Është e lehtë të harxhosh dy orë duke parë çfarë po bëjnë të tjerët për festa, dhe të harrosh planet e tua. Prandaj, lëre telefonin mënjanë dhe kthehu te vetja. Pyet veten: "Çfarë mund të bëj sot që do të më bëjë të ndihem mirë?"
Disa ide:
- Bëj një banjë të ngrohtë relaksuese
- Shiko një film që të pëlqen
- Tako një mikeshë për kafe
- Shëno disa momente të bukura që ke pasur këtë vit
4. Lidhu me atë që vlerëson vërtet
Kur sheh të tjerët me foto perfekte familjare ose pushime të shtrenjta, pyet veten: A janë këto gjërat që vlerëson vërtet në jetë? A janë në përputhje me vlerat e tua? Ndoshta për ty është më e rëndësishme të kesh kohë cilësore me njerëzit që do, pavarësisht se ku je dhe çfarë bën.
5. Gjej mënyra të reja për të festuar
Nëse je larg familjes ose thjesht nuk ke mundësi për festa të mëdha, krijo traditat e tua. Organizo një darkë me miq që janë në të njëjtën situatë, bëj një video-thirrje të gjatë me familjen, ose shijo kohën vetëm duke bërë gjërat që të pëlqejnë.
6. Ji tolerant/e me veten
Dimri është i vështirë për shumë njerëz. Ka depresion sezonal, ditët janë më të shkurtra, dhe ndonjëherë dalin në sipërfaqe kujtime të vjetra që na mërzitin. Mund të kesh mall për dikë që nuk është më, ose të ndihesh i/e pasigurt për vitin që vjen.
Prandaj ki durim me veten. Kujto që është normale të ndihesh kështu dhe që nuk je vetëm. Nëse ndien se ke nevojë për mbështetje profesionale, psikologët tanë në Bliss janë këtu për të të dëgjuar dhe ndihmuar.
Festat nuk duhet të jenë një garë se kush po kalon më mirë. Ato janë për të reflektuar, për t'u lidhur me veten dhe të tjerët, dhe për të gjetur momente gëzimi në mënyrën tënde unike.
Bliss ofron terapi online në shqip, kurdo dhe kudo që ndodhesh. Për të folur me një nga psikologët tanë, vizito bliss.al.