Zhurma që askush nuk e dëgjon (IV)

Zhurma që askush nuk e dëgjon (IV)

📝 Kjo ese është fituese e çmimit të katërt në konkursin e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Studentëve të Mjekësisë (ACMS), në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor – Maj 2025. Konkursi u zhvillua me mbështetjen e platformës Bliss, me qëllim të promovimit të reflektimit dhe hapjes së bisedave për mirëqenien emocionale mes të rinjve dhe profesionistëve të ardhshëm të shëndetit.

Shkruar nga: Enxhi Çarçiu

Ka dhimbje që nuk ulërijnë. Ato ecin zbathur në mendje, rrinë të heshtura në shpirt e përdridhen në trup si zjarri që nuk ka flakë. Janë zërat që nuk dëgjohen, por britmat e mbytura në heshtjen e përditshmërisë. Flasim për zhurmën e shpirtrave të mbërthyer nga ankthi, stresi apo depresioni. Ato nuk kanë plagë që gjakosin, por janë të përgjakur brenda. Shoqëria nuk i dëgjon, sepse dhimbja e tyre nuk bërtet me zë, por pëshpërit me sy të ulur dhe buzë që dridhen. Dhe kjo është më e rëndë se çdo krismë: të jesh i gjallë, por i padukshëm, apo të kërkosh ndihmë ku askush të mos të dëgjojë.

Ka njerëz që çdo mëngjes veshin një fytyrë që nuk është e tyre. Dalin në rrugë si aktorë të lodhur dhe luajnë rolin e “të fortit”. Janë ata që qeshin në kafe, por qajnë në banjo. Ata që përgjigjen “mirë jam”, ndërkohë që po shemben përbrenda. Në realitetin e tyre, çdo gjë është shumë e rëndë, sepse zgjimi është betejë, frymëmarrja është përpjekje, dhe nata është armik. Ata mbajnë mend çdo fjalë që i lëndoi, por harrojnë si ndihesh kur je i qetë. E ndërkohë, bota i do pozitivë, efikasë dhe socialë. Askush nuk ka kohë të dëgjojë zërat e tyre të dridhur, apo t’i japë kuptim syve që s’ndritin më. Ata jetojnë në hije, në qoshet e zymta të mendjes ku nuk hyn asnjë fjalë ngushëllimi.U thuhet se “edhe të tjerët vuajnë”, sikur dhimbja është garë. U thonë “mendo pozitivisht”, pa ditur se mendja e tyre është një fushë lufte ku çdo mendim është një armik i padukshëm. Dhe më e trishta është kur të afërmit lodhen, kur miqtë largohen, kur të thonë “po e ekzagjeron”. Kështu, ata mësohen të heshtin, të buzëqeshin mekanikisht dhe të bëhen mjeshtër të mbijetesës emocionale.Njerëzit me plagë mendore nuk mbajnë fashë. Ata nuk ecin me paterica, nuk kanë temperaturë, as të nxira, por janë të lënduar. Dhe dhimbja e tyre nuk pushon me “dil pak jashtë”, “mendo pozitivisht” apo “mos u bëj dramatik”. Janë fjalë që vrasin më shumë sesa ndihmojnë. E ndërkohë, bota vazhdon të kalojë pranë me shpejtësi, pa e kuptuar që sapo kaloi pranë dikujt që po lufton për të mbijetuar nga mendja e vet.

Shëndeti mendor nuk është modë, as një trill i mendjes së lodhur. Është një realitet i heshtur që përplas njerëz në mur, i bën të humbasin kuptimin, dritën dhe veten. Është djaloshi që izolohet në dhomë dhe askush nuk e pyet pse. Është vajza që buzëqesh gjithë ditën dhe qan në shtrat çdo natë. Është nëna që punon pa u ndalur, por që s’ka fuqi të ngrejë kokën për veten e saj. Është burri që mban gjithçka brenda, sepse nuk “i lejohet” të thyhet. Dhe janë fëmijët që mësojnë të heshtin, sepse askush nuk i dëgjon kur flasin.Zërat që nuk dëgjohen janë më të thellë se çdo klithmë. Ata nuk kërkojnë mëshirë, por vëmendje. Nuk duan fjalë të bukura, por një dorë që nuk largohet. Në një botë që dëgjon zhurmën dhe harron heshtjen, ata janë dëshmi e fortë se vuajtja nuk ka gjithmonë zë. Është koha të mësojmë, të dëgjojmë pa fjalë, të shohim përtej syve që buzëqeshin nga detyrimi. Sepse një fjalë e ngrohtë, një përqafim i sinqertë, një “jam këtu për ty”, mund të jetë ura që e ndal dikë nga rënia.E ritheksoj: shëndeti mendor është një kauzë njerëzore. Nuk duhet të jetë më tabu. Nuk duhet të jetë më turp apo të kërkosh ndihmë të shihet si dobësi. Është akt trimërie. Është dëshmi se njeriu nuk ka hequr dorë nga vetja. Ndaj, le të jemi aty për njëri-tjetrin, jo vetëm në gëzim, por edhe në ankth. Të dëgjojmë zhurmën që askush nuk e dëgjon, e ndoshta atëherë nuk do të jetë më aq e rëndë.

Kemi folur shumë për shëndetin mendor, por ende heshtim kur dikush pranë nesh bie. I ngarkojmë me etiketa, i mbysim me këshilla boshe, i kalojmë pranë si të padukshëm. Por e vërteta është kjo: çdo njeri që vuan nga ankthi, depresioni, trauma, është një luftëtar i heshtur që kërkon të dëgjohet e jo të shërohet me receta të shpejta, por të pranohet me dhimbjen e tij. Sepse pas çdo buzëqeshjeje false mund të fshihet një thirrje për ndihmë, një shpirt që është në kufirin mes jetës dhe dorëzimit.Dhe nëse nuk mësojmë të dëgjojmë këtë zhurmë që askush s’e dëgjon, do të vazhdojmë të humbasim njerëz pa e kuptuar kurrë pse. Heshtja nuk është gjithmonë paqe. Ndonjëherë është britma më e madhe për t’u dëgjuar.

Read more

Tags