Zhurma që askush nuk e dëgjon (V)

Zhurma që askush nuk e dëgjon (V)

📝 Kjo ese është fituese e çmimit të pestë në konkursin e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Studentëve të Mjekësisë (ACMS), në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor – Maj 2025. Konkursi u zhvillua me mbështetjen e platformës Bliss, me qëllim të promovimit të reflektimit dhe hapjes së bisedave për mirëqenien emocionale mes të rinjve dhe profesionistëve të ardhshëm të shëndetit.

Shkruar nga: Enisa Pashnjari

Ndalem një çast dhe vështroj përreth. Vështroj njerëzit që nxitojnë të shkojnë diku, fëmijët që shkojnë në shkollë, makinat si vargje të gjata, zogjtë që fluturojnë të lirë. Çdo gjë më duket sikur lëviz shumë shpejt, dhe unë mbetem pas. Ndihem sikur jam brenda në një flluskë, dhe kraharori nuk më mbushet dot me frymë. Mendja nuk më bie në qetësi, mendimet nuk shuhen, e as trupi nuk më bindet, e megjithatë, lotët nuk dalin. Mos vallë më kanë mbaruar? Mos vallë nuk kam më as keqardhje, as gëzim, as dhembshuri? Po, ç’ka ndodhur me mua? Unë isha ajo vajza e ëmbël që i falte dashuri gjithkujt. Isha ajo vajza që shihte të mirën edhe aty ku nuk kishte. E tani nuk shoh dot asgjë, përveçse një re të zezë që më rrethon. Jam e lodhur,e lodhur nga mendimet e mia. Pse nuk mundem t’i ndaloj? Pse gjithmonë mendoj më të keqen? Pse më duket sikur gjëja më e vështirë për të thënë është: NDIHMË?

Sa herë mundohem të dal nga flluska ime, diçka duket se më mban pas. Bëhem robëreshë e fjalëve të mia të pathëna, që më kaplojnë si valë të forta, më fundosin, dhe nuk më lënë të rri në sipërfaqe. Herë ndihem e padukshme, e herë sikur të gjithë po më vëzhgojnë mua. Sikur të gjithë përreth presin të marrin një pjesë timen për të mos ma kthyer më pas. Askush nuk pyet çfarë po ndodh me mua, e as unë nuk them asgjë. Por heshtja duhet të jetë një shenjë. Një shenjë që ka nevojë thjesht të kuptohet, as të lexohet, as të dëgjohet.Ah, sikur dikush ta dëgjonte këtë heshtje! Askush nuk mendon për lëmshin e madh të mendimeve, as për labirintin e fjalëve, e as për plagët që lë koha.

Thërras me zë të lartë, por askush nuk më dëgjon. Vërtet jam aq e vështirë për t’u kuptuar? Vërtet nuk ka shpresë nga të tjerët? Vërtet duhet të ndryshoj? E si duhet ta di unë çfarë duhet dhe nuk duhet të jem? Nuk është e lehtë të pranosh se diçka nuk shkon brenda teje. Nuk është e lehtë të ngresh dorën dhe të thuash: “Unë nuk jam mirë.” Sepse, në një botë që vrapon me shpejtësi, trishtimi shihet si ndalesë, si dobësi. Dhe atëherë mësojmë të heshtim, të shtiremi, të qeshim kur nuk kemi më fuqi as të ngrihemi nga krevati. Mësojmë të jemi “njerëz funksionalë” me shpirt të thyer, të ecim me boshllëk brenda, dhe të mbajmë peshë që nuk na përket vetëm neve.Askush nuk flet për atë ndjenjën e zbrazëtisë që të mbërthen kur je mes njerëzve dhe ndihesh më vetëm se kurrë. Askush nuk flet për ankthin që të zgjon natën pa arsye, për ato ditë që mezi ngrihesh nga krevati sepse çdo veprim ndjehet i kotë.Dhe kur më pyesin pse jam e qetë, pse rri në heshtje, nuk e kuptojnë që ajo heshtje është britma më e madhe që kam. Sepse trishtimi nuk është gjithmonë i zhurmshëm. Ai shpesh vjen tinëzisht, si mjegull, dhe mbulon gjithçka me një ndjenjë lodhjeje që nuk ikën.

Dikush mund të mendojë se janë thjesht mendime kalimtare, por kur çdo ditë bëhet një betejë për të gjetur arsyen pse duhet të vazhdosh, atëherë nuk është më “gjendje kalimtare”. Është një plagë që nuk duket, por që dhemb përditë. Një zhurmë që askush nuk e dëgjon, sepse është brenda nesh. Dhe kur nuk trajtohet, ajo zhurmë rritet derisa të bëhet një mur mes nesh dhe botës.Shëndeti mendor nuk është një çështje personale që duhet mbajtur fshehur. Është një realitet kolektiv që kërkon kuptim, pranueshmëri dhe kujdes. Sepse të kërkosh ndihmë nuk është akt dobësie, por akt guximi.Dhe ndoshta nuk do të shërohem nesër,ndoshta do të më duhet kohë, por dua të besoj që dikush do të më dëgjojë. Që një ditë, kjo zhurmë që më shoqëron do të bëhet më e lehtë për t’u përballuar. Sepse nuk jam e vetme. Dhe sepse askush nuk duhet të ndihet i vetëm.

Ndonjëherë mendoj se në këtë botë, të ndjesh shumë është një dënim. Të jesh i butë në një realitet të ashpër duket si të ecësh zbathur mbi qelq. Çdo fjalë që nuk e thashë më rëndon në gjoks. Çdo lot që nuk e derdha më mbyt në heshtje. Dhe kur njerëzit më thonë: “Gjithçka do të rregullohet,” nuk e dinë sa bosh tingëllon kjo frazë, kur ti nuk sheh më asgjë përtej errësirës.Zemra më rreh, por shpesh nuk e ndiej më. Si të jetë ftohur me mua. Si të jetë lodhur edhe ajo, duke pritur që të shërohem vetë.Por nuk dua të jem vetëm me veten. Dua që dikush të më shohë, të më dëgjojë, pa gjykuar. Dua që zhurma ime e brendshme të mos mbetet thjesht një jehonë në boshllëk, por të ketë dikë që e dëgjon. Dikë që nuk më thotë të bëhem “më e fortë”, por që më lejon të jem e thyeshme pa u ndjerë e dobët.

Në fund të ditës, të gjithë ne jemi njerëz që mbartim diçka brenda vetes — një shqetësim, një frikë, një plagë. Por ajo që na bën të fortë nuk është fakti që i fshehim, por kur kemi guximin t’i pranojmë. Të flasim. Të kërkojmë ndihmë. Sepse vetëm kur heshtja thyhet, zhurma që askush nuk e dëgjon fillon të marrë formë, të dëgjohet, të kuptohet.Ndoshta nuk do ta kuptojnë të gjithë. Ndoshta jo të parët që kemi afër. Por çdo hap që bëjmë drejt vetes, drejt pranimit të ndjenjave tona, është një hap drejt shërimit.Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik. Dhe, siç nuk do të turpëroheshim të kërkonim ndihmë kur kemi temperaturë apo plagë, nuk duhet të turpërohemi as kur kemi nevojë të qajmë, të flasim, të dëgjohemi.

E di që nuk jam e vetme. Ka shumë të tjerë si unë — që qeshin jashtë dhe thërrasin për ndihmë brenda. Që ndihen si një pikturë e grisur nga brenda, por që e mbajnë buzëqeshjen të paprekur. Dhe ndaj dua të them këtë: nuk është turp të kesh nevojë. Nuk është dobësi të lutesh për pak paqe. Shëndeti mendor nuk është një çështje që duhet fshirë si pluhur nga tavolina. Është real. Është i rëndësishëm. Dhe kërkon kujdes, si çdo plagë tjetër.Unë dua të rikthehem. Të rikthehem tek ajo vajza që dikur shihte të mirën. Të gjej edhe njëherë një grimcë dritë, edhe në errësirën time më të thellë.Ndoshta s’do jetë e lehtë. Ndoshta do të më duhet të bie edhe më shumë, për të mësuar të ngrihem.Por do filloj duke bërë hapin më të vështirë: do kërkoj ndihmë. Edhe nëse më dridhet zëri. Edhe nëse s’më kupton kush menjëherë.Sepse kam të drejtë të shërohem. Kam të drejtë të ndiej. Kam të drejtë të jetoj.Zhurma që askush nuk e dëgjon… një ditë do të bëhet zë. Dhe kur të dëgjohet, do të jetë fillimi i një shprese të re — për mua dhe për të gjithë ata që sot janë duke u mbytur në heshtjen e tyre.

Read more

Tags